Eparkia e Arbereshevet e Ungres eshte po t’benje nje Qind vjet
Ish dita 13 fjavar 1919, kur i nderuari Papë Benedhiti XV, me Kushtetutën Apostollike ‘Catholici Fideles’ krijonij Eparkinë e Ungrës të Arbëreshëvet të Talljes Kontinentale për “bestarët katolikë të ritit grek, çë rrojin në Epir e në Arbërì,të pështuar valë-valë nga zotërimi i Turqvet, …të mbledhur me bularì zëmergjerë…ndër dherat e Kallàbrjes e të Siçìlljes, ture mbajtur, si ish për me bënë, zakonet e traditat e popullit grek, sa e më shumë ritet e Qishës së tyre, bashkë me gjithë lexhat e zakonet çë ata kishin trashguar ka Étërit e tyre dhe me më të madhin kujdes e mall kishin ruajtur për shumë shekul. Kjo mënyrë së rruari të të mërguarvet arbëreshë qe me pjot gëzim e aprovuar dhe e lejuar ka Papa, ashtu çë ata, mbatanë qiellit të tyre, sikur të kishin ri-gjetur Atdhenë e tyre në territor italian […]”. Selia e Shënjtë përgjegjej kështu, me mirëdashje
atërore, kërkesavet urgjente për mbrojtje, të parashtruara për shumë mot ka pasardhësit e kreit shqiptar Gjergj Kastriotit Skanderbé, asimoti të dekoruar me titullin ‘Atlet i Krishtit’, për zellin e derdhur me ushtarët e tij të bushtër, për njëzetepesë vjet, për të mbrojtur lirinë e vetëvendosjen e popullit të tij dhe të krishtërimit europjan.
T’ardhurit e Arbëreshëvet ndë Talljet ndodhi ndër shekk.XV-XVIII, pas Koncilit të Firenze-s (1439), pas rënies së Kostantinopollit (1453) e pas vdekjes së Skanderbekut (1468). Nd’atë mot ndërroi vend një Komb i tërë, një Qishë, Krishtërimi arbëresh, gjuha arbëreshe: një popull i tërë me trashëgiminë e tij.
Mërgimtarët pat ‘ lëjin me hjidhì Mëmëdheun, për të qëndrojin të gjallë, të lirë e të krishterë; tue ikur, muartin me ta pak shërbise, ato çë mbëshojin më pak, më të shtrëjtat, ato çë s’mund të harrohen: kujtimet, gjuhën, ritin bixantin; ndërsa te vendi atëror lanë helm, mbrastì e shkretì. Ata qenë të mbledhur me mirëdashje gjithapàru, si vëllezër të së njëtës Besë të krishterë. Papët e Romës qenë ngaherë të kujdesshëm, si ètër, ndaj tyre, se të kishin kushte rùajtjeje të trashëgimisë së tyre.
Krijimi i Eparkisë së Ungrës është kurorëzimi i nji udhëtimi të gjatë historik, gjatë të cilit Perëndia, pa i lënë fare ngëmshtin, ruajti këtë popull të vogël oriental, çë u integrua plotësisht te struktura e Qishës lëtire, po pa bjerrë karakteristikat e identitetit të vetë. Selia e Shëjtë, me këtë masë njih juridikisht, dhe më parë se gjithë, realitetin njësor dhe të veçantë të Arbëreshëvet të Talljes dhe i jip atyre një formë drejtësije qishtare e civile.
Te ky vit 2016 Eparkia e Ungrës zu vitin nëndëdhjetetetë (98°) jetje dhe vete përpara, e shkathët, drejt të parit Qindvjetor. Tek historia e saj regjistron katër Peshkopra, i pari i të cilëvet qe imzot Giovanni Mele, ka Firmoza/Cs, i ëmruar kur kish sapo tridhjetetrè (33) vjet: ai qeverisi për 60 vjet (1919-1979), e u angazhua trimërisht për t’i jipë një bashkëri Famullìvet të Eparkisë së re, çë, më parë, vejin me gjashtë (6) ndryshe Dioqeza: Cassano allo Jonio, Rossano, Bisignano, Anglona, Penne, çë gjëndshin te katër (4) ndryshe krahina: Kalabri, Basilikatë, Abruc, Pulje.
Pasardhësi i tij. imzot Giovanni Stamati, ka Pllatani/Cs, vate përpara me të njëjtin zell apostolik, për rimarrjen e frymës shpirtërore bixantine dhe për një fisionomì qishtare të njëjtë, në shëngjin e vijìmit, të ruajtjes e të vlerësimit të trashgimisë së lashtë shpirtërore dhe historikokulturore. Ai, mbjatu pas Koncilit Vatikan II, te viti 1968, dekretoi përdorimin liturgjik të gjuhës arbëreshe, mëmësore e popullore, si shëngj i fortë njësìje eparkiale, si edhe anësije dhe afërsije njëi populli, të cilit, te atdheu i tyre, ish e mohuar liria të mund të lutjin Perëndinë. Te katundet e Eparkisë parkalesej, kështu, tek e vjetra dhe bulare
gjuhë mëmësore, tue pritur agimin e nji rilindjeje të besës së krishtërë te Mëmëdheu i Tatëlashëvet.
I trejti peshkop, imzot Ercole Lupinacci, ka Mbuzati/Cs, ç’ka viti 1987 njera ndë 2010, bëri çmos sa të ngrënij te një hjé e duhur trashgiminë liturgjike dhe ikonografike të Qishavet famullitare, ture i sjellur te një formë më të përputhur me traditën bixantine. Gjatë peshkopatit të tij qe e mbajtur e para Mbledhje Eparkiale, ka e cila duall një serì të dhënash për një jetë të mirë qishtare, bashkësore e individuale, në drejtim me pasurinë shpirtërore orientale.
Peshkopi i sotshëm, imzot Donato Oliverio, ka Ungra/Cs, pat në trashëgim një Eparki të bukur, fort e rrënjosur në Perëndim, ku po buthton me qartësi të madhe bëgatëritë e traditës bixantine dhe bukurinë e njësisë së mundshme ndë mes të krishterëvet të perëndimit e të lindjes, edhe me tradita e gjuhë ndryshe. Ai drejton Eparkinë nga Ungra, një e këndshme horëz me afro 3000 njerëz, e vënur ka ana jugperëndimore e vargmalit të Pulinit, te këmbët e malit Petrosa (Gurishte), 600 metra mbi detin. Throni i tij gjëndet tek ajo ç’është Qisha-mëmë e gjithë Qishavet të Eparkisë, Katedralja e Shën Kollit të Mirës, e stisur ndë mes t’vitravet 1721- 1825. Madhështore në planin e saj romano-barok me kryqe lëtire, qe e zbukuruar ndër dhjetëvjeçarët e prasëm, me mozaikë me vlerë e me afreske, çë e bëjën të pashoqe, ku art bixantin e frymë shpirtërore orientale bashkohen bukur, aq sa të jetë e mbajtur si Qisha më e rëndësishme e Katolicizmit bixantin arbëresh ndë Talljet. Ka kupola e saj zotëron, madhështor, Krishti Pantokrator, ‘faqe e lipisisë së Atit’.
Sot bestarët e Eparkisë janë qasur 40.000 ndër katundet, e njetër aq të shprishur te ndryshe hora të Talljes; për t’i ndihjën tek udhëtimi i tyre drejt Zotit janë afro pesëdhjetë priftra. Këta rrojën ndë 30 Famullì arbëreshe të ritit bixantin: të shprishura, këtù këtje ndë territoret e katër Dioqezave lëtire të Kallàbrjes (Cassano Jonio, S.Marco Argentano, Rossano-Cariati e Cosenza- Bisignano) dhe tre Dioqezave jashtë Kallabrjes (Tursi-Lagonegro, Lecce, Pescara-Penne). Ndër këta katunde, mb’udhë e ndë fëmilet, flasën arbërisht; e te Qishat, gjatë Shërbesavet Liturgjike, bestarët parkalesjën e këndojën grek e arbërisht.
Në Eparki rrohet e mbahet, me plotësi bashkësije qishtare me Selinë e Shëjtë, tradita bixantine me të shtrënjten pasurì liturgjike, cerimoniale, ikonografike, teologjike, shpirtërore, melurgjike. Këto karakteristika e bëjën këtë Eparki, ndë
Kallabrjet e ndë Talljet, shëngj i gjallë i jetës së vërtetë të të parëvet shekul të erës së krishterë, kur grekra e lëtinj rrojin bashkë e lavdërojin, nganjë të gjuha e tyre e sipas traditavet të tyre, të njëshmin e të vetmin Perëndi.
Programi baritor i peshkopit Donat mund të shihet tash tek të parët hapa të peshkopatit të tij. Ai, sanënga u vendësua, bëri një pellegrinaxh bestarësh te varri i apostullit Pjetër, se të falënderonij Perëndinë për lipisìnë e madhe çë patë për Arbëreshët gjatë ndënj’jes së tyre ndë Talljet dhe për të singonij besën e plotë të Arbëreshëvet drej Qishës Katolike dhe Papës të Romës. Tek i dijti vit i peshkopatit të tij, me një delegacjonë priftrash, qe pritur zyrtarisht, në Kostantinòpull, ka patriarku Bartolomé, kuj i vërtetoi se Arbëreshët mbajën të gjallë besën e krishterë te tradita bixantine çë trashguan ka prindt. Vitin pas, vate ndë Shqipëri, ku puthi botën e Atlashvet e u përpoq me Peshkoprat Shqiptarë, Katolikë e Orthodoksë, si edhe me krerët e bashkësivet myslimane e bektashane, simbole të gjallë të rilindjes së dritës nd’atë Dhé të martirizuar dhe shëngje shpresje për tërë Botën, për zgjedhjet e tyre dialogu dhe hapash paqje.
Peshkopi Donat do të drejtonjë Eparkinë e Ungrës me bestarët e saj arbëreshë – me traditë bixantine të jetuar në bashkëri të plotë te një territor me traditë lëtire – ture u spënduar për bashkimin e të Krishterëvet, se të buthtonjë profetikisht të ardhmen e afërme të Qishës: bashkimin te besa e drejtë dhe te bëgatëria e gjerë të ndryshimevet qishtarë.
Ndë këtë drejtim patë një shtyjtje te madhe nga dica krera të lertë të Qishës Ortodhokse çë, me bekimin e Patriarkut Bartolomè të Kostantinòpollit, vizituan, vitet e fundit, ca katunde të Eparkisë së Ungrës. Ndë shënmitër 2013, Stephanos Charalambides, metropolit I Tallin-it e të gjithë Estonisë, e Athenagoras Peckstadt, çë errù si peshkop i Sinopit dhe u nis ka Ungra me njoftimin se kish qënë ëmruar metropolit i Bellxhit; e, ndë shënmartir 2015, Elpidophoros Lambriniadis, Metropolit i Bursës, Abat i monastirit Patriarkal e Stavropigiak “Trinì e Shëjtë” të Chalki-s. Këta vunë në dukje se zbuluan, ndër Arbëreshët e Eparkisë së Ungrës, “vëllezër çë s’njihjin fare”, çë bëjën pjesë plotësisht të Qishës Katolike, po ashtu edhe plotësisht të lidhur me besë traditës bixantine të Étërvet.
E ata vetë shtyjtin sa katundet e Eparkisë të bëhen shkolla përpjekje për marrëdhënie vëllazërore ndë mes t’krishterëve ortodoksë dhe t’krishterëve katolikë, me hapa të vigjël qàsjeje miqësore, për të ndihur njohjen e njeri-jetrit, për të gëzuar të bëgatìvet të tjerëvet tek të lavdëruarit e Perëndisë; për të shëruar hapat llargimi të së shkuarës e për të shkurtuar motet e ri-bashkimit të Qishavet të Krishtera; ashtu çë t’errëhet tek e shërtuara dhe e duhura njësì e dukshme të besimtarëvet mbë Krishtin, të Birin e Perëndisë, Zotin e Shpëtimtarin, çë i lypi Atit: ‘Të jenë një!”.
Te zëmra e te mendja e Peshkopit Donat, të klerit e të bestarëvet arbëreshë të Eparkisë së Ungrës, këto fjalë të forta u bashkuan gjithnjë me atë ç’është shkruar, hapët e qartë, tek stema e Eparkisë: “¿¿¿ OS¿¿ ¿¿” – “QË TË JENË
NJË” – “UT UNUM SINT”, çë përbën misionin e veçantë të së voglës Qishë Arbëreshe, e dërguar, me fuqitë e saj të varfëra, se e djeshmja të priret e sotme dhe të profetizohet vëlima e Perëndisë; ç’ësht edhe, si duket, objektivi i kërkuar me gjithë fuqitë ka Papa Frangjisku: njësì, me çdo kusht!
Populli arbëresh dhe Qisha e tij kujtojën, me shumë mall e çudì, të tjera fjalë si këto, çë i drejtoi atyre, ndë 25 prill 1968, i lumturi Papë Pali VI, me rastin e Pesëqindëvjetorit të vdekjes së Skanderbekut:”Shumë të ndershëm bil të Shqipërisë, ju mund të mbani këtë Selì Apostolike si shpia juaj atërore, dhe ndëse historia ju pa të shtypur e të shprishur, mirësia e Perëndisë bëri çë ju, me gjithë ‘gjakun tuaj të shprishur’, të ishit gjithaparu prematjòtë besëlidhjesh e bashkëpunimesh, çë shumë herë, e parë motit, ju bënë punëtorë të ekumenizmit modern”.
(Protopresbitero Pietro Lanza, Protosincello dell’Eparchia di Lungro)
Jeta Arbëreshe, 81 / janár-theristì 2016 ( pruar arbërisht Drejtori)